Ndjenja e boshllekut emocional, merzia e pakuptimte
E di se të ka ndodhur të ndihesh bosh në shpirtin tënd. E di se herë herë të kap një mërzi e pakuptimtë, ti nuk e di arsyen pse ndihesh ashtu. Mundohesh ta largosh duke u marrë me diçka por prapë ajo ndjenjë është aty.
Në ato momente nuk do asgjë ç’ka në këtë tokë. Ftohesh (largohesh) nga çdo gjë, por as ti nuk e di pse, ngaqë nuk ka asnjë arsye të dukshme. A tu kujtua kjo ndjenjë?
Ndoshta nuk do të jesh në të njëjtin mendim me mua por prapë do ta them… A mos vallë ajo është një thirrje? Një thirrje hyjnore… kuptimi i saj mund të jetë:
“Robi Im, asnjë materie, asnjë krijesë nuk të përmbush ty. Ti je krijuar për një qëllim të lartë. Je krijuar të njohësh Zotin tënd, ta besosh, ta duash dhe të lidhesh për Të. Mos e gënje veten me gjërat kalimtare përreth teje. Ja, edhe sikur t’i jap tani nuk do të përmbushnin.
Mbushe zemrën dhe shpirtin tënd me Atë që është i Perjetshëm, që është i Vërtetë, që nuk është materie, që nuk ka fund, që është Një dhe i Vetëm…”
Të zhvlerësosh në syrin tënd çdo gjë tjetër përveç Allahut, Krijuesit të çdo gjëje. Ky është një nga kuptimet e teuhidit…
✍️ Samel Haxhia Shkodër, 24 dhjetor 2023