Mesime nga surja Mesed

3 min read

Cover for Mesime nga surja Mesed

تَبَّتْ يَدَٓا اَب۪ي لَهَبٍ وَتَبَّۜ ﴿١﴾ مَٓا اَغْنٰى عَنْهُ مَالُهُ وَمَا كَسَبَۜ ﴿٢﴾ سَيَصْلٰى نَاراً ذَاتَ لَهَبٍۚ ﴿٣﴾ وَامْرَاَتُهُۜ حَمَّالَةَ الْحَطَبِۚ ﴿٤﴾ ف۪ي ج۪يدِهَا حَبْلٌ مِنْ مَسَدٍ ﴿٥

“1 Qoftë i shkatërruar Ebi Lehebi, e ai më është shkatërruar!  2 Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo çka fitoi!  3 Ai do të hyjë në një zjarr të ndezur flakë.  4 E edhe gruaja e tij, ajo që barti dru (ferra),  5 E në qafën e saj ajo ka një litar të përdredhur.”¹

Xhemat i nderuar! Sot do të flasim rreth disa urtësive të sures Tebbet.

Ebu Lehebi ishte axha i Pejgamberit savs, megjithatë ai ishte në të njëjtën kohë edhe njëri nga ata që i bënte padrejtësi e zullum më tepër. Ishte nga armiqtë më të ashpër të islamit dhe muslimanëve. Në suren Tebbet jepet si shembull përfundimi i keq i Ebu Lehebit dhe i atyre që, shkojnë në rrugën e tij. Nga kjo sure mësojmë se ata që i hapin luftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ata që bëjnë betejë të ashpër kundër besimtarëve do të përfundojnë në një dënim të madh. Ata që mallin dhe pasurinë, pushtetin dhe mundësitë i përdorin për të bërë shkatërrime dhe fesad në tokë, e meritojnë zemërimin e Allahut. Ata që qëndrojnë përballë të vërtetës dhe i shërbejnë të kotës dhe gënjeshtrës, që prej arrogancës i përbuzin njerëzit, i pret një fund i hidhur.

Edhe ata që e mbështesin padrejtësinë e kanë përfundimin e njëjtë me të padrejtët. Sepse edhe të mbështetësh zullumin është zullum. Pejgamberi savs ka thënë:

“و من أعان على خصومة بظلم فقد باء بغضب من الله عز و جل”

*“Kush e ndihmon padrejtësinë, padyshim që do të fitojë zemërimin e Allahut.”² *

Prandaj ne besimtarët kudo që të shohim një padrejtësi duhet të qëndrojmë kundër saj me dorën, gjuhën dhe zemrën tonë. Sepse për sa kohë ka padrejtësi bota nuk do të jetë e qetë.

Edhe sot Ebu Lehebat dhe Ebu Xhehlat janë duke përdorur të gjitha forcat dhe mundësitë të arrijnë qëllimet e tyre, mundohen me të gjitha mënyrat të përfundojnë projektet e tyre edhe pse kjo ka kosto me jetë njerëzish, me shfarosje, me padrejtësi. Ndërsa shumë të tjerë i mbështesin, i duartrokasin zullumqarët.

“Kush mund të qëndrojë para nesh” thonë. Këto fjalë na duken shumë të njohura, nga popujt e mëparshëm që janë shkatërruar e u janë fashitur gjurmët nga toka, thua se nuk kanë ekzistuar.

“Ata duan ta fikin dritën e Allahut me gojët e tyre, padyshim Allahu është Plotësues i dritës së Tij edhe nëse qafirat e urrejnë këtë.”³

Asnjë padrejtësi nuk është e përjetshme. Sado që zullumqarët ta mendojnë veten të fortë, në fund ata do të humbin e do të kenë përfundim të keq. E drejta dhe e vërteta do të fitojë, e kota do asgjësohet.

Dua ta mbyll hutben me këtë ajet Kur’anor:

قُلْ لِلَّذٖينَ كَفَرُوا سَتُغْلَبُونَ وَتُحْشَرُونَ اِلٰى جَهَنَّمَؕ وَبِئْسَ الْمِهَادُ

Thuaju (o Muhamed) atyre që mohuan: “Ju do të mposhteni dhe do të tuboheni në Xhehenem. Eh, sa shtrat i keq është ai vend!” (4)


1- surja Mesed (tebbet)

2- Ebu Davud, Kada, 14

3- surja Saff ajeti 8

4- surja Ali Imran ajeti 12