كُلُّ نَفْسٍ ذَٓائِقَةُ الْمَوْتِ ثُمَّ اِلَيْنَا تُرْجَعُونَ
Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen, pastaj të gjithë do të ktheheni tek Ne.¹
أكثروا ذكر هاذم اللذات
“Shtojeni përkujtimin e asaj që lezetet i pret si thika.” (Përshtatje e imja)²
Xhemat i nderuar! Ne flasim shumë për jetën dhe ashtu duhet bërë sepse islami është fe e jetës, fe aktive, fe prezente në çdo sferë jetësore. Por ekziston edhe një e vërtetë e madhe që lidhet me krejt të vërtetat tjera, që është fund i pashmangshëm dhe urë lidhëse me krejt ato që besojmë ne. Ajo është vdekja. Njeriu është i çuditshëm. Edhe pse e di se kena me vdek e s’ka tjetër, sa herë që sheh një xhenaze, te krejt i shkon mendja se mund të jenë personi i ardhshëm aty, përveç vetes. Opsioni më i largët i duket që të jetë vetë aty. Në një kohë që nuk kemi garanci as për një minutë më pas.
Abdullah ibn Omeri r.a tregon: Isha një ditë pranë Pejgamberit savs dhe tek ai erdhi një nga Ensarët i cili e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, cili besimtar është më i mirë? Pejgamberi savs u përgjigj: Ai që e ka sjelljen dhe moralin më të mirë.
-Ja Resulallah, cili besimtar është më i zgjuar?
- Ata që e përkujtojnë vdekjen më shumë dhe që përgatiten për pas saj më mirë, janë më të zgjuarit.”³
Të nderuar besimtarë! Kjo nuk do të thotë që besimtari të jetë i plogësht, i ndrydhur dhe të mos jetë aktiv, mos të jetë i pasur por do të thotë që njeriu në mesin e gjithë këtij aktiviteti, pune, planesh, pasurie, mundi etj të mos tradhtohet, të mos e harrojë të vërtetën e tij dhe të mos krijojë iluzionin sikur nuk do të largohet kurrë nga kjo botë. Kjo është një balancë e mrekullueshme që ka vendosur Allahu. Dihet që njerëzit më të mirë të këtij ummeti, sahabet kanë punuar, kanë qenë aktivë, dinamikë, kanë fituar pasuri. Por ata kishin arritur të integrojnë në jetën e tyre këtë balancë që jep islami mes dynjasë dhe ahiretit, mes jetës dhe vdekjes. Nuk u tradhtuan, nuk u hutuan dhe pasurinë, planet, objektivat i panë si amanet, i panë si urë për të fituar kënaqësinë e Allahut.
Po njerëzit që nuk i japin vend përkujtimit se një ditë kena me vdek, se nuk ia vlen të bësh padrejtësi dhe të shtypësh për të arritur diçka prej kësaj bote, si është shembulli i tyre? Shembulli i tyre është sikur shembulli i fëmijëve në plazh. Ata bëjnë kala e forma prej rëre, luajnë, argëtohen e kur mërziten e shembin me një shqelm atë për të cilën ndoshta janë mundur me orë. Ose kur ata e përfundojnë vjen një dallgë e madhe që ia shkërmoq mundin.
Ajo dallgë në jetën reale është vdekja.
Si përfundim mesazhi që duhet të marrim është ky. Dynjaja në vetvete nuk është e keqe. Ajo që e bën të keqen është egoja njerëzore, dëshirat, epshet. Dhe e vetmja forcë që mund ti vë fre këtyre gjërave është vdekja.
1- Surja Ankebut ajeti 57 2- Tirmidhiu, Zuhd 4, Nesai, xhenaiz 3 Ibn Maxhe, Zuhd 31 3- Ibn Maxhe, Zuhd 31